Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e pati nisur detyrën në Kosovë dhe po e përfundon me nderime para shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Siç ka thënë ai, veprimin e parë zyrtar e atë të fundit e bënë për ta nderuar figurën e Rugovës, për ato pas të cilave ai qëndronte.
Hovenier ka thënë se Rugova qëndroi me këmbëngulje për të drejtat e popullit, për një shtet sovran, demokratik e shumetnik si dhe që këto t’i bënte në përputhje me vlerat e komunitetit ndërkombëtar.
“Tre vjet më parë, pothuajse saktësisht tre vjet më parë, mbërrita në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me presidenten për të vendosur një kurorë te statuja e ish-presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA-së në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë. E bëj këtë në kujtim të presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Hovenier.
Ai ka theksuar se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën.
“SHBA-ja është e përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur arrita”.