Horror në Greqi! Shqiptari gjendet i varur dhe i dekompozuar në një magazinë në Tyrnavos
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqi, ku një 36-vjeçar shqiptar është gjetur i varur dhe në gjendje të avancuar dekompozimi brenda një magazine në zonën e Tyrnavos. Viktima, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik nga autoritetet greke, punonte si punëtor tokash në këtë zonë dhe ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh nga miqtë e tij.
Mediat greke raportojnë se trupi u identifikua falë ndërhyrjes së miqve të tij, të cilët kontaktuan me një media lokale pasi panë një raportim dhe e njohën nga përshkrimi dhe imazhet e publikuara. Pas këtij identifikimi, policia greke njoftoi menjëherë familjen e viktimës në Shqipëri dhe nisi procedurat për informimin e plotë të tyre.
Zbulimi makabër u bë nga një qytetar që kishte materiale ndërtimi të magazinuara në një truall aty pranë dhe u alarmua nga era e rëndë që vinte nga godina. Sipas raportimeve, trupi u gjet në një magazinë pranë një rruge dytësore, në një vend të fshehur dhe jo lehtësisht të dukshëm.
36-vjeçari ishte varur me një litar shumë të hollë, të ngjashëm me ato që përdoren për vreshtat. Mësohet se litari ishte këputur dhe trupi kishte rënë në dysheme, duke u zbuluar vetëm pasi dekompozimi kishte avancuar ndjeshëm. Hetimet paraprake tregojnë se magazina ishte përdorur herë pas here si strehë nga persona të panjohur.
Autoritetet greke nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi, përfshirë edhe mundësinë e një akti kriminal. Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Larisa, ku do të kryhet autopsia për përcaktimin e saktë të shkakut dhe kohës së vdekjes. Paraprakisht, besohet se vdekja ka ndodhur të paktën pesë ditë më parë.