Hodhën mbeturina në trotuar, identifikohen dhe procedohen penalisht 4 persona në Durrës
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve, kanë konstatuar se në lagjen nr. 1, Durrës, ishin hedhur mbeturina të ndryshme në rrugë, që kishin shkaktuar ndotje të mjedisit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës, pasi dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.