Historia shkruhet në Britani! MI6 emëron për herë të parë një grua në krye të shërbimit sekret
Pas 116 vitesh histori të mbuluar nga hije dhe mister, agjencia britanike e inteligjencës së jashtme MI6 ka thyer një prej tabuve më të mëdha: në krye të saj do të jetë një grua. Emri i saj është Blaise Metreweli — dhe po, është më afër realitetit se ç’do film i James Bond.
Metreweli, me mbi 25 vite përvojë në fushën e sigurisë kombëtare, vjen nga radhët e MI5 dhe aktualisht drejton departamentin e teknologjisë së avancuar në MI6 – të njohur në zhargon si “Q”, njësoj si figura ikonike e shpikësit në filmat e Bond. Këtë vjeshtë, ajo do të marrë zyrtarisht titullin “C”, kreu i shërbimit më sekret britanik, duke zëvendësuar Sir Richard Moore.
Ky emërim është më shumë sesa simbolik: në një botë të tronditur nga kërcënime kibernetike, spiunazh shtetëror dhe sfida teknologjike, drejtimi i agjencisë nga një eksperte inovative është një sinjal i qartë për të ardhmen e inteligjencës globale.