Historia e përdhunimit në Volos/ “Vajza falsifikoi mesazhet, babai vrau dajën”, reagojnë familjarët për REPLIKË: Vajza nuk ka mohuar asgjë, ju tregojmë dëshmitë tronditëse…

Një ngjarje tragjike tronditi Greqinë dhe komunitetin shqiptar më 9 janar 2024, në Volos, ku shtetasi shqiptar Fatmir Tarellari, 50 vjeç, nga Poliçani, vrau kunatin e tij, Erjon Pelivani, 33 vjeç, pasi e bija e kishte akuzuar këtë të fundit për përdhunim.

Fatmir Tarellari

Fatmir Tarellari

Mëngjesin e 9 janarit 2024, Fatmir Tarellari i ngriti një kurth kunatit të tij pranë një fabrike çimentoje në zonën Agria të Volosit. I armatosur me një pushkë gjahu, ai e qëlloi për vdekje Pelivanin, duke e lënë të shtrirë në vend. Ngjarja ndodhi në një zonë industriale ku Pelivani punonte. Pas aktit të rëndë, Tarellari u dorëzua menjëherë në polici dhe rrëfeu krimin, duke deklaruar se kishte vepruar i shtyrë nga dëshmia rrëqethëse e vajzës së tij, e cila e kishte bindur se ishte përdhunuar prej vitesh nga daja.

Erjon Pelivani

Erjon Pelivani

Diten e sotme, mediat greke kanë njoftuar për zhvillimet më të fundit të kësaj çështjeje. Është zhvilluar një seancë gjyqësore vendimtare në Gjykatën me Juri të Përzier në Larisa, ku është vënë në dyshim versioni i vajzës 19-vjeçare. Sipas raportimeve, ajo ka pranuar se kishte falsifikuar mesazhe për të mashtruar babain e saj, duke i paraqitur si të dërguara nga viktima, kur në fakt ishin shkëputur nga bisedat e saj me të dashurin.

Pas një procesi të gjatë dhe debatues, Gjykata e Apelit në Larisa shpalli vendimin përfundimtar:
– 14 vjet burg për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore
-2 vjet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës

Në total, Fatmir Tarellari u dënua me 16 vjet burgim, me vendim unanim 7-0 nga trupi gjykues për të dy akuzat. Gjykata refuzoi gjithashtu kërkesën e mbrojtjes që dënimi të kishte efekt shtyrës, duke urdhëruar që i dënuari të kthehet menjëherë në burg.

Ndërkohë, në redaksinë e “Replika.al” ka mbërritur një mesazh nga një i afërm i familjes Tarellari, i cili përgënjeshtron plotësisht versionin e publikuar së fundmi në mediat greke. Sipas tij, pretendimet për një rrëfim të rremë nga vajza janë të pavërteta dhe nuk përputhen me vendimin e gjykatës.

Mesazhi i plotë i të afërmit

“Në media dhe rrjetet sociale po qarkullon një lajm fals. Gjyqi është zhvilluar në Larisa ditën e djeshme, dhe gjykata ka vendosur dënimin prej 14 vitesh burg për Fatmir Tarellarin. Nëse këto lajme false do të ishin të vërteta, shteti grek nuk do ta gjykonte me kaq vite, sepse sipas ligjeve greke ky veprim dënohej me dy dënime nga 24 vjet, gjë që vërteton se këto lajme janë të pavërteta. Dita e djeshme ka pasur një gjyq me orë të gjata, ku është shqyrtuar dhe vërtetuar çështja se viktima ka qenë abuzuesi i vajzës prej vitesh, dhe asnjë deklaratë e vajzës nuk është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Ka pasur dëshmitarë dhe dëshmi që kanë vërtetuar se viktima ka qenë një person problematik, një monstruoz, dhe vajza është shprehur se ka pasur drama të tmerrshme dhe abuzime çnjerëzore, duke bërë që trupi gjykues të shpërthente në lot gjatë rrëfimit të saj. Ju lutem, ju bëj thirrje të mos shpërndani informacione të rreme, pasi ato janë të lidhura drejtpërdrejt me familjarët dhe keqinformimin e publikut.”