Një rast shqetësues përndjekjeje me ngjarje që duken si të dalë nga një film ka tronditur Tiranën. Një 14-vjeçare shqiptare është bërë viktimë e një mashtrimi online, ku një i huaj nga Finlanda e përndoqi për dy vite, duke u maskuar si një vajzë amerikane.
Sipas hetimeve të prokurorisë së Tiranës, gjithçka nisi kur adoleshentja hapi një llogari në platformat Snapchat, Instagram dhe TikTok për të luajtur online. Ajo u njoh me dikë që pretendonte të ishte një vajzë e quajtur Sara nga Teksasi. Megjithatë, pas dy vitesh komunikimi të vazhdueshëm, hetimet zbuluan se pas këtij profili qëndronte një i rritur, i identifikuar si Ahmad Madi, me banim në Finlandë, i dyshuar për përndjekje.
Hetuesit raportojnë se 14-vjeçarja vazhdoi komunikimin nga frika, pasi Madi kishte marrë informacione personale të saj, si emrin e plotë, adresën dhe madje kishte marrë foto të shtëpisë. Në disa raste, ai i kishte dërguar ushqim dhe pica në adresën e saj. Situata përshkallëzoi kur prindërit e vajzës zbuluan çfarë po ndodhte dhe sekuestruan telefonin e saj.
Rasti mori një kthesë dramatike kur Ahmad Madi udhëtoi drejt Shqipërisë dhe trokiti në derën e vajzës në Tiranë. Fatmirësisht, fqinjët ndërhynë në kohë dhe e neutralizuan derisa mbërriti policia.
Gjatë dëshmisë së saj, adoleshentja deklaroi se ishte kërcënuar dhe madje ishte bullizuar për t’u angazhuar në fe, si dhe iu kërkua t’i jepte fund jetës. Kjo përndjekje ka zgjatur për rreth dy vite.
Pavarësisht pretendimeve të të dyshuarit, i cili e paraqiti rastin si një histori dashurie, prokuroria ka hedhur poshtë këto justifikime dhe ka kërkuar që të mos ndryshohet masa e sigurisë ndaj tij. Ndërkohë, departamenti i krimeve kibernetike po heton më tej për të identifikuar raste të ngjashme të kryera nga persona të huaj apo vendas, që përfshijnë shantazh, ngacmim dhe bullizëm online.