Hipermetropia sociale Pse po e humbasim sensin e të parit nga afër?

Nga KLAUDIA HASANLLARI

Pas marrjes së dozës të lajmeve të mëngjesit, m’u kujtuan vargjet e një poeteshe shqiptare, që shkruan : “Mos më vër faj nëse e kam humbur sensin e të shikuarit nga afër.”
Është në fakt për t’u habitur se si dalëngadalë shndërrohemi çdo ditë në një shoqëri vizionare, por të paaftë për të parë atë që kemi poshtë hundës ose përpara syve.
Flasim çdo ditë se si traumat na e kanë bërë të vështirë manifestimin e karakterit, derisa dëgjoj dhe adoleshentë të thonë “Nuk jam unë, është trauma ime”, por njëkohësisht veprojmë shumë pak, tolerojmë aspak kur e njëjta traumë manifestohet te veprimet e shokut të klasës, kolegut, mikut apo deri diku edhe prindit. Refuzojmë të shkojmë në terapi, refuzojmë të meditojmë, të punojmë me veten, të lexojmë më shumë dhe fshihemi vazhdueshëm pas fjalisë “Kështu jam. Nuk ndryshoj dot. Kush më do, të më dojë si jam.”
Harrojmë se prindërit tanë jetojnë për herë të parë, njëlloj si ne, dhe se gabimet e tyre nuk janë shkak për sjellje të papërshtatshme dhe problemet e fëmijërisë thjesht shpjegojnë reflekse tona të caktuara, por nuk i justifikojnë ato.
Harrojmë se partnerët kanë nevojë për dashuri nga ne po aq sa presim ne nga ata. Edhe ata duan të ndihen të konfirmuar dhe të sigurt në marrëdhënie. Miqtë tanë kërkojnë të njëjtën tolerancë që presim dhe ne prej tyre, të njëjtën hapësirë, të njëjtat mesazhe inkurajimi.
Gjithçka që shihet për së largu, fillon për së afërti.
Çdo hap i jashtëzakonshëm nis me një zgjim të zakonshëm. Dhe vetëm kthimi te e zakonshmja, te normalja, te marrëdhënia më e afërt e pastaj ajo më e largëta, mund të normalizojë shikimin social.