Himarë/ Çahet diga e hidrocentralit në Bunec, rrezik për përmbytje! Evakuohen banorët

Një situatë e rrezikshme është regjistruar sot rreth orës 12:38 në zonën e Bunecit, në Lukovë, ku dyshohet se diga e hidrocentralit është çarë, duke krijuar rrezik të lartë për përmbytje në zonën përreth.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe emergjencave civile, të cilat po marrin masa për evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik. Fatmirësisht, deri në këtë moment nuk raportohet për viktima, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autoritetet janë duke monitoruar nga afër situatën për të siguruar që pasojat të jenë sa më të vogla dhe për të shmangur përkeqësimin e saj. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast emergjence.

Shërbimet përkatëse po punojnë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga kjo ngjarje e rëndë. Situata mbetet ende e paqëndrueshme dhe kërkon vigjilencë të shtuar nga të gjithë qytetarët dhe autoritetet përkatëse.