Hije manipulimi në primaret e PD-së: Mospërputhje në vota dhe dyshime për parregullsi

Procesi i primareve të Partisë Demokratike, që u mbajt më 1 mars dhe u publikua zyrtarisht më 2 mars, është shoqëruar me dyshime të forta për manipulime dhe parregullsi në disa qarqe të vendit. Rezultatet në Dibër, Vlorë, Tiranë dhe Elbasan tregojnë mospërputhje të mëdha në shifrat e pjesëmarrjes dhe votave të vlefshme, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procesit.

Një nga rastet më problematike është ai i Dibrës, ku sipas procesverbalit zyrtar thuhet se kanë marrë pjesë 4,580 anëtarë. Megjithatë, kur bëhet përllogaritja e votave të vlefshme për kandidatët, rezultojnë vetëm 2,180. Kjo do të thotë se diferenca prej 2,400 votash është klasifikuar si e pavlefshme, një shifër më e lartë sesa votat e vlefshme, duke ngritur dyshime të forta për parregullsi.

Në Vlorë, procesverbali i publikuar nuk përfshin numrin e anëtarësisë, duke mos lejuar një përllogaritje të qartë të pjesëmarrjes. Gjithashtu, në mëngjes rezultoi se kandidatja Ina Zhupa kishte marrë 765 vota, por në rezultatin e mbrëmjes ajo kishte vetëm 641 vota, një diferencë prej 124 votash që nuk është sqaruar.

Po ashtu, në këtë procesverbal thuhet se votat e Qendrës së Votimit në Konispol nuk janë përfshirë, pasi rezultuan të parregullta. Kjo ka ndikuar në ndryshimin e totalit të votave, duke krijuar një diferencë prej 196 votash nga shifra e shpallur më parë.

Në Tiranë, nga 13,052 anëtarë të PD-së, rezultojnë vetëm 12,342 vota të vlefshme, çka nënkupton se ka pasur 710 vota të pavlefshme. Për më tepër, dy qendra votimi, Paskuqani dhe Vora, janë përjashtuar nga rezultati përfundimtar, me argumentin se ishin të parregullta.

Në Elbasan, ku anëtarësia e PD-së është 3,927 persona, procesverbali regjistron 3,903 vota, ndërsa votat e pavlefshme thuhet se nuk janë përfshirë në total. Megjithatë, në krahasim me Dibrën, ku votat e pavlefshme ishin 2,400, në Elbasan ky numër është vetëm 24, duke treguar një mospërputhje të madhe në standardet e numërimit dhe raportimit të votave të pavlefshme.

Dyshimet për manipulime nuk janë ngritur vetëm nga të dhënat zyrtare, por edhe nga vetë anëtarët e PD-së. Një ndër mbështetëset e Sali Berishës, Arjana Kalaja, e cila më herët kishte kërkuar një vend të sigurt në listën e kandidatëve, ka shprehur zhgënjimin e saj në rrjetet sociale. Ajo la të kuptohet se procesi i primareve kishte probleme dhe parregullsi.

Këto shifra dhe mospërputhje kanë ngritur dyshime mbi mënyrën se si është menaxhuar procesi, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe ndershmërinë e votimit brenda Partisë Demokratike.