Hetuesit e Trump në Ballkan, nisin investigimin për fondet e USAID, përfshihet edhe Shqipëria

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka dërguar një grup prokurorësh në Ballkan për të hetuar përdorimin e fondeve të USAID, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Grupi, i drejtuar nga ish-prokurori federal Martin De Luca, ka nisur hetimet nga Sarajeva, ku është zbuluar se në katër vitet e fundit janë shpërndarë 402 milionë dollarë përmes organizatave të financuara nga fondacioni Soros. Nga këto, rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, duke ngritur dyshime për korrupsion.

“Presidenti Trump është shumë i vendosur që të zbulojmë sa më shpejt çdo keqpërdorim të këtyre fondeve. Hetimet do të shtrihen në të gjithë rajonin dhe presim bashkëpunimin e autoriteteve vendase,” deklaroi De Luca.

Një ditë më parë, Komiteti për Mbikëqyrjen dhe Reformat në Qeverisje në Kongresin Amerikan shqyrtoi ndikimin e ndihmës së huaj të USAID, duke vënë theksin te financimi i organizatave të lidhura me George Soros. Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka firmosur një urdhër për pezullimin e ndihmës së USAID në mbarë botën, me argumentin se fondet e taksapaguesve amerikanë po shpërdoroheshin për interesa politike.