HETIMI/ Pronarë pa punë, por “bosë”, si u blenë 400 makina luksoze në Shqipëri
Administrata Tatimore ka nisur hetimet për 400 automjete luksoze të regjistruara gjatë periudhës 2023–2024 në Shqipëri, të cilat rezultojnë të jenë blerë nga persona që nuk kanë të ardhura të deklaruara apo nuk figurojnë fare në sistemin tatimor.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, këto mjete luksoze, të përfshira në kategorinë “makina të rangut të lartë” për nga çmimi dhe cilësia – janë vënë në emër të individëve që, në shumicën e rasteve, nuk kanë asnjë të dhënë të regjistruar për të ardhura të tatueshme në Administratën Tatimore.
Kontrollet janë ndërmarrë nga Drejtoria e Kontrollit të Specializuar, me fokus identifikimin e rasteve të pasurimit të pajustifikuar dhe mundshëm të ardhurave të padeklaruara. Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë personat në pronësi të mjeteve luksoze do t’i nënshtrohen një procesi të detajuar verifikimi përmes:
•krahasimit të të ardhurave të deklaruara me vlerën e makinave në pronësi,
•kontrollit të përputhshmërisë mes të dhënave tatimore dhe pasurisë,
•kërkesës për dokumentacion justifikues që provon burimin e ligjshëm të financimit.
“Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë vullnetarisht të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve, për të shmangur penalitete dhe ndjekje të mëtejshme administrative apo penale,” thuhet në njoftim.
Më herët, institucionet shtetërore janë përballur me raste të ngjashme, ku automjete të shtrenjta janë regjistruar në emër të personave pa të ardhura, duke nxitur dyshime për pastrim parash, informalitet dhe shmangie nga tatimet.
Hetimet pritet të shtrihen edhe mbi importuesit dhe shitësit e makinave, për të verifikuar transparencën e transaksioneve dhe për të ndalur zinxhirin e financimeve të dyshimta në blerje të pasurive të luksit në Shqipëri. /skyweb.al