Hetimi për TIMS-in, Komisioni Hetimor thërret edhe Berishën, Bashën e Bardhin
Komisioni Hetimor për sistemin TIMS nisi nga puna të martën dhe do të ketë një afat 4 mujor për të konkluduar punën e tij. Kryetari i komisionit, Ervin Salianji prezantoi planin e punës si dhe listën e dëshmitarëve që do të thirren para hetimorit. Sipas planit të hetimeve, emra titullarësh të lartë shtetërorë si kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe paraardhësi i tij, Bledi Çuçi u kërkuan nga opozita për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar.
Mirëpo, mazhoranca bëri një kundërpropozim duke kërkuar që në cilësinë e personave që kanë dijeni, nisur nga denoncimet publike, të dëshmojnë edhe Sali Berisha, Lulzim Basha e Gazment Bardhi. Kërkesë e cila duket se ka gjetur dakordësinë e kryetarit të komisionit, Salianji.
siguruar planin hetimor të komisionit parlamentar të TIMS-it ku krahas emrave të Ramës, Ballës, Çuçit, drejtorit të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, paraardhësit të tij Gledis Nano e drejtuesve e ish-drejtuesve të SHISH, janë miratuar si dëshmitarë edhe emrat e përfaqësuesve demokratë.
“Mbi bazën e Planit Paraprak të Hetimit dhe propozimet e ekspertëve ligjorë, Kryetari i propozon Komisionit për miratim projektvendimin “Për miratimin e Planit të Hetimit të Komisionit Hetimor” brenda afateve të parashikuara nga ligji. Me qëllim hartimin e Planit të Hetimit dhe realizimit të veprimeve të përcaktuara në këtë Plan Paraprak Hetimi, Komisioni, nëpërmjet Kryetarit, mund të kërkojë të dhëna dhe dokumente të tjera nga titullarët e institucioneve publike, si dhe të kryejë çdo veprim sipas nenit 15 dhe 17 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit””, thuhet në planin e detajuar hetimor të komisionit parlamentar të TIMS-it.