Hetimet për Erion Veliajn/ Pas gruas së tij paraqitet në SPAK dhe biznesmeni Elman Abule
Një ditë më parë, për mbi 5 orë dha deklaratat e saj bashkëshortja, Marisa Nito, teksa sot paraqitet në SPAK, Elman Abule.
Biznesmeni, të cilit prokuroria e Tiranës i sekuestroi 50 milionë euro pasuri, është një emër jo shumë i njohur për publikun. Ai ka shtetësi belge dhe është përfshirë prej gati një dekade në botën e tregtisë, kryesisht në aktivitetin e metaleve. Abule ka ruajtur një profil të ulët publik. Megjithatë, në media është publikuar një foto e tij, në aeroportin e Romës, në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Foto është publikuar në disa media dhe vërtetësia e saj nuk është kundërshtuar, të paktën publikisht, nga asnjë prej dy subjekteve të saj.
Nga pamjet në foto, e cila besohet se është shkrepur në vitin 2019, dallohet se Veliaj dhe Abule kanë njohje të konsiderueshme dhe se udhëtimi i tyre duhet të ketë qenë për qëllime turistike, nisur nga çantat e shpinës që kanë me vete.
Dhe lidhjet e tij me pushtetin me sa duket i kanë funksionuar. Në 26 prill të vitit 2022, një nga kompanitë e tij e quajtur Ventur mori leje për ndërtimin e një turbine eolike në Bashkinë Pukë.