Hetimet ndaj Asllan Dogjanit/ GJKKO i kthen sërish dosjen SPAK-ut, deputeti i PD: Nuk kam bërë korrupsion, jam deputet i popullit edhe jashtë Parlamentit
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka kthyer sërish në SPAK dosjen ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, për fshehje pasurie, duke i dhënë Prokurorisë së Posaçme një muaj kohë për të kryer veprime të mëtejshme hetimore.
Pas seancës në gjykatë, Dogjani mohoi çdo akuzë për korrupsion dhe e cilësoi procesin një ndjekje të motivuar politikisht. Ai u shpreh se, pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ri, mbetet deputet i popullit dhe do të vazhdojë të mbrojë interesat e 7 mijë qytetarëve që e kanë votuar.
“Pavarësisht se nuk do të jem në Parlament, unë jam deputet i popullit. Jam votuar nga 7 mijë qytetarë dhe do të jem gjithmonë në mbrojtje të interesave të tyre,” tha Dogjani, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve dhe të sistemit të drejtësisë.
I pyetur për përgjegjësinë e Sali Berishës në rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, Dogjani evitoi përgjigjen e drejtpërdrejtë dhe theksoi se përgjegjës për votat e vjedhura duhet të mbajë Edi Rama, duke shtuar se kjo dëmton jo vetëm opozitën, por edhe qytetarët dhe vendin në përgjithësi.
“Kur më bëjnë presion, bëhem edhe më i fuqishëm,” tha deputeti, duke theksuar vendosmërinë për të mos u dorëzuar përballë sfidave.