Hero në detin e jetës! Kapiteni i anijes u mbyt në liqenin e Shkodrës, reagon Bashkia
Një ngjarje e rëndë dhe njëherazi tronditëse ka ndodhur këtë pasdite në liqenin e Shkodrës, ku kapiteni i anijes turistike të Bashkisë, Arben Anamali, humbi jetën gjatë një akti heroik, duke u përpjekur të shpëtonte dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:32, kur 51-vjeçari Anamali, në përpjekje për të nxjerrë të sigurt turistët nga uji, u mbyt vetë, duke mos arritur të dalë gjallë nga liqeni. Turistët janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Bashkia e Shkodrës ka reaguar menjëherë pas lajmit të dhimbshëm, duke shprehur ngushëllimet më të thella për humbjen e një prej njerëzve më të përkushtuar në shërbim të vizitorëve.
“Sot, Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur”, thuhet në reagimin zyrtar.
Anamali njihej për përkushtimin dhe pasionin me të cilin shërbente çdo ditë në aktivitetin turistik të liqenit, duke kontribuar me profesionalizëm dhe zemërgjerësi.
Policia dhe njësitë e kërkim-shpëtimit ndodhen ende në vendngjarje dhe po vijojnë përpjekjet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit.
Reagimi i Bashkisë Shkodër
Sot, Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës.
Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur. Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës.
Bashkia Shkodër shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Anamali në këtë moment të vështirë.