“Hera e fundit që u pa ishte te terminali” – Prej një jave i zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e 70-vjeçarit nga Devolli
Një 70-vjeçar nga fshati Pilur i Devollit, Jashar Spaho, është zhdukur prej datës 28 qershor, dhe familjarët e tij kanë ngritur alarmin për gjetjen e tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe autoriteteve.
Sipas dëshmive të afërmve, Jashar Spaho ishte nisur drejt qytetit të Korçës, por që prej asaj dite nuk ka pasur më asnjë kontakt me të. Informacionet e vetme të marra deri tani nga persona të njohur të familjes tregojnë se ai është parë për herë të fundit në afërsi të terminalit të autobusëve në Korçë.
Familjarët kanë depozituar denoncimin në Komisariatin e Policisë së Devollit, si dhe në Tiranë, pasi kanë dyshime se i moshuari mund të ketë udhëtuar drejt kryeqytetit.
Ata sqarojnë se Spaho nuk vuan nga ndonjë sëmundje mendore dhe nuk ka pasur më parë asnjë episod të ngjashëm zhdukjeje. Megjithatë, kohët e fundit ai ishte dukshëm i shqetësuar për vëllain e tij të sëmurë, dhe kjo mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij emocionale.
Familjarët kërkojnë nga kushdo që ka informacion mbi vendndodhjen e tij të kontaktojë menjëherë në numrat: 069 64 50 216 ose 068 93 56 925.