Heqja e dinarit serb në Kosovë, Gabriel Escobar: Çështja të zgjidhet përmes dialogut me BE

I Dërguari i SHBA për Ballkanin perëndimor Gabriel Escobar, e konsideroi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e ndalimit të dinarit në transaksionet e brendshme bankare në Kosovë. Në deklaratën e tij për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug Escobar iu referua qëndrimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”

Sipas Escobar shumë nga këto çështje parashikohen të zgjidhen përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ku në draft-Statutin e BE-së përcaktohet se do të financohej nga Serbia përmes një banke të regjistruar dhe licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës, që do t’i nënshtrohej vëzhgimit dhe transparencës brenda kornizës ligjore të vendit.