Prodhuesit shqiptarë marrin prej qeverisë premtimin për heqjen e akcizës për gazin e lëngshëm. Në tryezën mes drejtuesve të lartë të qeverisë dhe prodhuesve u trajtuan shqetësimet kryesore të këtyre të fundit
“Jemi mbledhur për të trajtuar 3 problematika që janë heqja e akcizës për gazin e lëngshëm, mundësimi i importimit të lëndëve djegëse alternative dhe mundësimin e importimit të lëndëve të para dytësore, sigurisht, pjesë e listës së gjelbërt” deklaroi Aleks Polo, drejtor ekzekutiv, Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë.
“Është momenti që ta diskutojmë sot në të gjitha nivelet, ashtu sa i përket përfaqësisë së komisioneve parlamentare edhe qeverisë.
Edhe ju nga ana juaj, dhe sigurisht shoqata do të mbajë rolin e facilitatorit, që do të ndjekë të gjithë procesin dhe do duhet një lobim i fortë nga ana jonë besoj për të ndryshuar skemën e parashikuar.
Megjithatë, ne jemi të gatshëm për ta adresuar të gjitha ato çështje që do ta facilitonin biznesin shqiptar dhe investitorët e huaj padyshim” deklaroi zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Energjisë.
“Ne jemi për të proceduar me shpejtësi në Kuvend për të tre këto iniciativa mjafton që të jenë të formulara siç duhet” deklaroi Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.
Ndërkohë ministrja Kumbaro njoftoi prodhuesit për miratimin së shpejti të një ligji të ri të trajtimit të mbetjeve.
Përafrimi i ligjeve në fushën e mjedisit por edhe të mbështetjes së prodhuesve janë pjesë e kërkesave të Bashkimit European për përmirësimin e standarteve ligjore/SCAN