“Hëngra një darkë të çuditshme me 5 persona”/ Mesazhet e fundit të Cameron Twiss, australianit të zhdukur në Valbonë: “Mendova se do vdisja”

Janë zbardhur mesazhet e fundit të Cameron Twiss, 28-vjeçarit australian që rezulton i zhdukur në Valbonë që prej 13 tetorit 2024. Edhe pse kanë kaluar 5 muaj që kur ai humbi gjurmët në veri të Shqipërisë, mesazhet e dërguara nga Twiss me vëllanë e tij, Stewart, kanë ofruar një dritë mbi situatën para se ai të zhdukej.

Në mesazhin e parë, Cameron tregon për një darkë të çuditshme me një familje shqiptare, ku të pranishmit flisnin shqip. Ai shkruan:
“Flasin shqip. Mendova se do të vdisja”, duke i dhënë vëllait të tij të kuptojë se ishte në një tavolinë me pesë persona që po flisnin për tema që e shqetësuan.

Në një mesazh tjetër, ai sqaroi më tej, duke thënë se personat po diskutonin për çmimet e apartamenteve në New York dhe se nuk kishte asnjë qëllim të dhunshëm ndaj tij:
“Tani e kuptova që po flisnin për apartamentet në New York City dhe nuk kishin ndërmend të më vrisnin mua”.

Mesazhi është datuar më 12 tetor 2024, dhe një ditë pas tij, më 13 tetor, Cameron largohet nga Valbona në orën 5 të mëngjesit për të vazhduar në një grup të apasionuar pas hikingut, por më vonë ai ndahet nga grupi dhe drejtohet drejt Thethit, ku humbi gjurmët.