Hemorroidet nuk e shpëtojnë nga burgu! Shqiptari në Irlandë kapet me dokumente false dhe drogë
Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me pesë muaj burg në Irlandën e Veriut, pasi u kap me dokumente false dhe drogë. Fjorald Pjetri u ndalua nga policia më 15 janar në Lurgan, teksa drejtonte një makinë tip ‘Alfa Romeo’ me një leje drejtimi dhe një letërnjoftim kroat, të dyja të falsifikuara.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti edhe 14 gramë kanabis si dhe disa pasaporta shqiptare në makinë. Ai pranoi akuzat për posedim të dokumenteve false, qëndrim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, mungesë sigurimi dhe posedim të lëndëve narkotike.
Në seancën gjyqësore, avokati mbrojtës deklaroi se Pjetri vuante nga hemorroidet dhe nuk kishte marrë trajtimin e nevojshëm në burg, por kjo nuk e shpëtoi nga dënimi. Gjykata e Magjistraturës në Craigavon vendosi që ai të vuajë pesë muaj burg, duke e konsideruar rastin një shkelje serioze të ligjit.