Helmimi nga ushqimi në kopshtin publik të Gramshit, inspektorët e AKU-së marrin mostra për analizimin e tre produkteve!
Pas helmimit të rreth 70 fëmijëve në kopshtin publik të Gramshit, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë ndërhyrë menjëherë për të marrë mostra nga tre produkte ushqimore me qëllim analizimin laboratorik. Mostrat e marra ishin nga mishi i pulës, qumështi dhe vezët, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin e AKU-së në Tiranë.
Një prej prindërve të fëmijëve të prekur ka deklaruar se ka dy vajza që frekuentojnë kopshtin dhe se është njoftuar nga stafi drejtues që të marrë fëmijët në shtëpi pasi ishte konstatuar një rast me salmonelë.
“Ne kemi kërkuar që dhënia e tenderit për ushqimin të mos bëhet nga Tirana, që ushqimi të jetë i freskët. Nuk dimë nëse duhet të kemi më besim, nëse do të ndodhë sërish një rast i tillë,” tha babai i dy vajzave, i shqetësuar për sigurinë ushqimore. Ai konfirmoi gjithashtu se të hënën, prindërit do të zhvillojnë një protestë përballë institucioneve përgjegjëse.
Dyshimet kryesore të ngritura nga mjekët dhe prindërit janë për helmim nga bakteri salmonela, një patogjen i rrezikshëm që zakonisht transmetohet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët. Burime brenda spitalit lokal konfirmojnë se simptomat e para të fëmijëve janë të përputhshme me helmimin nga salmonela.
Sipas dokumenteve zyrtare, kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit – bëhet fjalë për kompaninë “Nesla shpk”, e cila ka fituar tenderin për këtë shërbim. Kjo kompani dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rënda të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por pavarësisht kësaj ka vijuar të operojë normalisht në tregun e shërbimeve ushqimore.
Për më tepër, pas inspektimeve të fundit të kryera pas incidentit, është konstatuar se në kuzhinën e kopshtit mungonin frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme si mishi dhe qumështi – një shkelje serioze e standardeve, e verifikuar edhe nga specialistët e AKU-së.
Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente për mediat, ndërsa një njoftim i shkurtër është publikuar nga Bashkia e Gramshit, ku thuhet se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigjja e analizave laboratorike”.