Helikopterët Black Hawk në Shqipëri! Stërvitje e përbashkët mes Gardës së New Jersey-t dhe Forcave Ajrore Shqiptare
Mirëmbajtësit dhe ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey-t kanë zhvilluar këtë javë një stërvitje të përbashkët me Forcat Ajrore Shqiptare në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka publikuar pamje nga bashkëpunimi dhe ka theksuar rëndësinë e këtij trajnimi për qëndrueshmërinë e aleancës transatlantike.
Sipas Ambasadës, ekuipazhi amerikan dhe ai shqiptar kanë punuar së bashku për mirëmbajtjen e helikopterëve dhe përgatitjen për misione të kërkim-shpëtimit.
Pjesë e stërvitjes ishte edhe helikopteri legjendar Black Hawk, i njëjti që u përdor gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas Uraganit Sandy në SHBA në vitin 2012. Interesant është fakti se edhe ekipi aktual i mirëmbajtjes është i njëjtë me atë të përdorur në misionin amerikan një dekadë më parë.
“Aftësia për të përballuar fatkeqësi natyrore është pjesë kyçe e qëndrueshmërisë së Aleatëve dhe e mbrojtjes së NATO-s”, – thekson Ambasada Amerikane në postimin e saj.