Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave për pengim të drejtësisë, pas 5 vitesh në paraburgim në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mohuar akuzat për pengim të drejtësisë, duke u deklaruar i pafajshëm në një përgjigje të dorëzuar me shkrim më 6 janar 2025, njoftuan Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Deklarata e tij vjen pas ftesës nga gjykatësja e procedurës paraprake gjatë një konference për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor. “Hashim Thaçi është vetëdeklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë,” thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës Speciale, bazuar në raportimet e mediave kosovare.

Akuzat e reja ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij

Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Specializuar në Hagë ngre akuza të reja ndaj Thaçit. Ai, së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë të lartë, akuzohet për vepra penale që lidhen me ndikimin e dëshmitarëve në procesin gjyqësor të quajtur “Thaçi dhe të tjerët”.

Më 6 dhjetor 2024, Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit (ish-ministër i Drejtësisë), Bashkim Smakajt (ish-drejtues i AKI-së), Isni Kilajt (ish-kryetar i Malishevës) dhe Fadil Fazliut (ish-pjesëtar i UÇK-së). Sipas Prokurorisë, akuzat përfshijnë përpjekje për të ndikuar dëshmitë e dëshmitarëve në këtë proces.

5 vite në paraburgim për krime lufte

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë në vitin e pestë të qëndrimit në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime të pretenduara të luftës gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë.

Gjykimi për çështjen kryesore dhe akuzat e reja pritet të vazhdojë në muajt në vijim.