Hasani për përplasjet në Lindjen e Mesme: Zhvillimi i armëve bërthamore do kishte pasoja katastrofike, Izraeli ka…

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka shprehur shqetësimin e thellë të Tiranës për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme, veçanërisht për përplasjet e fundit midis Iranit dhe Izraelit. Gjatë fjalës së tij në Samitin për Bashkëpunim në Europën Juglindore (SEECP), që po mbahet në kryeqytetin shqiptar, Hasani theksoi se kjo krizë paraqet një kërcënim serioz për stabilitetin jo vetëm në rajon, por edhe në mbarë botën.

Ai u ndal në mënyrë të veçantë te rreziku që lidhet me zhvillimin e armëve bërthamore, duke paralajmëruar se pasojat e tyre do të ishin katastrofike. “Zhvillimi i armëve bërthamore do kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej,” deklaroi Hasani, duke bërë thirrje për ndaljen e aktiviteteve të tilla dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare.

Në qëndrimin e Shqipërisë, Hasani ripohoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje përballë kërcënimeve të sigurisë. “Shqipëria rikonfirmon prioritetin e Izraelit për të mbrojtur veten dhe qytetarët e vet nga kërcënimet,” tha ai.

Nga ana tjetër, ministri shqiptar i Jashtëm i bëri thirrje Iranit të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai theksoi nevojën për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme përmes mjeteve politike dhe dialogut.

“Shqipëria iu bën thirrje palëve që të ulin tensionet dhe të angazhohen për një zgjidhje të qëndrueshme politike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” përfundoi Hasani.