Për herë të parë, emigrantët shqiptarë po shfrytëzojnë të drejtën për t’u regjistruar si votues nga jashtë, një proces që ka nisur më 11 janar dhe do të përfundojë më 4 mars. Brenda pesë ditëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka raportuar 20,245 kërkesa për regjistrim.
Shqiptarët që jetojnë në Itali kryesojnë me 6,197 kërkesa, të ndjekur nga Greqia dhe Gjermania. Përpos këtyre vendeve, shqiptarët që jetojnë në shtete të vogla si Guadalupe, Zambia, apo ishujt Fixhi kanë paraqitur gjithashtu kërkesa, duke dëshmuar përhapjen globale të diasporës shqiptare.
Votuesit dhe pikëpamjet e tyre
Të dhënat tregojnë se 67% e aplikantëve janë burra. Mes tyre është edhe Xhaferi, një emigrant që ka jetuar në Itali që nga viti 1997. Ai shprehet i kënaqur për mundësinë e votës:
“Kam ikur me helikopter nga Farka drejt Veronës dhe tani jam stabilizuar. Ndjek situatën politike nga lajmet dhe e konsideroj shumë të rëndësishme të votoj,” tha ai.
Nga ana tjetër, Julia, një shqiptare që jeton prej vitesh në Spanjë, mendon ndryshe:
“Nuk jam në dijeni të asaj që ndodh në Shqipëri dhe nuk njoh kandidatët. Edhe sikur të votoja, nuk jam e sigurt sa vlerë do të kishte vota ime,” u shpreh ajo.
Si funksionon regjistrimi?
Regjistrimi online është hapi i parë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Aplikantët duhet të plotësojnë formularin elektronik në aplikacionin e KQZ, duke përdorur një dokument identifikimi shqiptar (kartë identiteti ose pasaportë).
Ky proces pritet të lehtësojë pjesëmarrjen e diasporës në vendimmarrjen politike të Shqipërisë, duke i dhënë një zë më të fuqishëm një komuniteti që përbën një pjesë të madhe të kombit shqiptar.