“Harrojnë këta që ka një Zot dhe një opozitë”, Berisha thirrje Ramës: Të vijë në Kuvend për debat dhe të japë dorëheqjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të paraqitet në Kuvend për një debat të gjerë mbi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha kërkoi gjithashtu që Rama të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Harrojnë këta që ka një Zot në këtë vend dhe që opozita do të bëjë betejën e vet deri në fund. Koha juaj ka mbaruar. Rama të vijë këtu, të ketë një debat të gjerë dhe të japë dorëheqjen,” tha Berisha.
Berisha akuzoi Ramën për përfshirje në skandale financiare, duke përmendur 130 milionë euro të zhdukura në inceneratorin e Tiranës. Ai hodhi kritika të forta për favorizime të dyshuara që lidhen me emra të njohur publikë dhe për përdorimin e charter-ëve privatë.
“Rama nuk mund të fshihet pas fustanit të Ajola Xoxës apo të Erion Veliajt. Populli i Tiranës ka protestuar 42 javë për arrestimin e tij,” shtoi Berisha.
Arrestimi i Veliajt dhe masa për Ajola Xoxën
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e sotme. Ai ndodhej në ambientet e Bashkisë Tiranë kur u shoqërua nga agjentët e BKH-së drejt bllokut të sigurisë “Mine Peza”.
Gjithashtu, është lëshuar urdhër-arresti për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Por Xoxa ndodhet jashtë vendit, pasi ka dalë nga Shqipëria më datën 8 shkurt.