Hapet Qendra e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rama: Brenda 2030 eksporte ushtarake ‘Made in Albania’
Qendra e re e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka çelur sot dyer duke shënuar hapjen e një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kjo qendër, e cila u inaugurua sot i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-ve.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e reja të Qendrës, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura.
“Hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë Shqiptare, si edhe krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, po edhe në funksion të modernizimit të qeverisjes e të mbështetjes së sektorit privat”, shprehet Rama.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së qendrës, Rama më tej tha se do të shërbejë si vatër të nxitjes e zhvillimit teknologjik.
“ Kjo qendër të cilës i bashkohet edhe agjencia e re e inovacionit dhe ekselencës për të pasur forcë të brendshme lëvizëse në çdo dikaster qendror e ministri është një bërthamë që premton shumë. Janë pikërisht vajzat dhe djemtë që sot takuam por është gjenerata e tyre që edhe në Shqipëri ka plot talente të cilave i referohet përtej kufijve të perimetrit të forcave të armatosura. Qëllimi është që forcat tona të armatosura ushtria jonë sistemi ynë i mbrojtjes të bëhet një vatër e nxitjes së zhvillimit të teknologjisë. Pagat do rriten përsëri”, tha Rama.
I bindur kreu i qeverisë tha se falë teknologjisë së lartë dhe “gjithë përmbysjes epokale të historisë njerëzore përmes teknologjisë dixhitale, inovacioni është bekim për një vend si i yni që vjen nga një prapambetje e thellë dhe duhet të bëjë çmos për të fituar kohën e humbur”.
“Sot po përpiqemi të nxisim inovacionin, të fusim teknologjinë dhe të transformojmë procese dhe të ndryshojmë një trashëgimi shumë të rëndë në aspektin institucional të këtij vendi”, shtoi Rama.
“Kjo qendër të cilës i bashkohet edhe Agjencia e re e Inovacionit dhe Ekselencës që ne kemi krijuar pikërisht për të pasur një forcë të brendshme lëvizëse në çdo dikaster qendror apo ministri është një bërthamë që premton shumë. Në Shqipëri ka plot talente të cilave kjo qendër i referohet përtej kufijve të perimetrit të FA-së”, tha ai.
Kryeministri Rama, tha se ajo nuk është vetëm në funksion të modernizimit të qeverisjes, por edhe sektorit privat. Ovjektivi është ambicioz, eksporte ushtarake brenda vitit 2030.
“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania”
Investimet dhe bashkëpunimin me privatin në ushtri, Kryeministri Rama e sheh si një epokë tjetër, për të cilën nuk e fsheh krenarinë për kohën që sipas tij e solli Qeveri që ai drejton..
“Shteti do të jetë partner, ortak, aksioner. Nga të gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike shteti do të marrë pjesën e tij. Kjo është si rezultat i kohës që ne e kemi sjellë ne”
Kjo qendër krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, po edhe në funksion të modernizimit të qeverisjes e të mbështetjes së sektorit privat. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje. Po ashtu do të ketë si përgjegjësi zhvillimin e iniciativave dhe projekteve inovative me rëndësi strategjike për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, sipas projekteve të përbashkëta dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me persona fizikë e juridikë, publikë ose privatë, si dhe partnerë të ndryshëm për zhvillim, vendës dhe ndërkombëtarë të kësaj fushe.