Hapet procesi i regjistrimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, Celibashi shpjegon procedurën

Që nga sot, emigrantët shqiptarë kanë mundësinë të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit nga vendet ku jetojnë dhe punojnë. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka sqaruar detajet e procesit të aplikimit përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).

Deri tani, sipas të dhënave të KQZ-së, janë regjistruar 405 aplikime, ku shumica vijnë nga emigrantë në Gjermani, Itali, Britani dhe Greqi.

Procedura e regjistrimit:

•Emigrantët duhet të kenë një pajisje elektronike me internet dhe kamerë.

•Duhet të krijojnë një llogari në sistem duke përdorur numrin e telefonit ose adresën e email-it, si dhe të plotësojnë të dhënat personale, përfshirë numrin personal, datëlindjen dhe vendlindjen.

KQZ-ja brenda 5 ditësh do të njoftojë emigrantin nëse aplikimi është pranuar ose refuzuar. Në rast refuzimi, aplikuesit do të informohen mbi gabimet dhe do t’u jepet mundësia të aplikojnë përsëri.

Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e diasporës në procesin zgjedhor, duke u mundësuar atyre të ushtrojnë të drejtën e votës nga çdo cep i botës.