Hapet grup-kapitulli i dytë i negociatave Shqipëri-BE, Rama në Luksemburg për konferencën ndërqeveritare
Në Luksemburg po zhvillohet sot, më 14 prill, konferenca e katërt ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Ky takim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Konferenca, e thirrur nga Presidenca polake e Bashkimit Evropian me konsensusin e 27 shteteve anëtare, do të shërbejë për hapjen e negociatave për grup-kapitullin 2, i cili ka në fokus tregun e brendshëm.
Konkretisht, Shqipëria do të nisë negociatat për:
-Kapitullin 1: Lëvizja e lirë e mallrave
-Kapitullin 2: Liria e lëvizjes së punonjësve
-Kapitullin 3: E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime
-Kapitullin 4: Lëvizja e lirë e kapitalit
-Kapitullin 6: E drejta e kompanive
-Kapitullin 7: E drejta e pronësisë intelektuale
-Kapitullin 8: Politika e konkurrencës
-Kapitullin 28: Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit
Ky është grup-kapitulli i tretë që hap Shqipëria. Më 15 tetor u hap grupi i parë me kapitujt “Themelorë”, që përfshijnë reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Më pas, më 17 dhjetor, janë hapur diskutimet për kapitullin 6 që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme, politikën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes.