Hapet gara për postin e Drejtorit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, kriteret për aplikantët
Për herë të parë në historinë e Policisë së Shtetit, posti i Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike do të përzgjidhet përmes një gare të hapur, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e emërimit të një prej pozicioneve më të rëndësishme në strukturën e policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, afati i fundit për aplikim është 15 korriku 2025. Oficerët e interesuar duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të detajuara, ku ndër më kryesoret janë mbajtja e gradës “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”, si dhe shtetësia shqiptare.
Kriteret kryesore për aplikantët:
Të jenë mbajtës të gradës “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”;
Të kenë shtetësi shqiptare;
Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë;
Të mos kenë pasur masa për shkelje të rënda disiplinore gjatë 3 viteve të fundit;
Të jenë në kushte të mira shëndetësore për të kryer detyrën;
Të mos kenë konflikt interesi, sipas legjislacionit përkatës.
Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, një komision i posaçëm do të verifikojë dokumentacionin e paraqitur, ndërsa faza e dytë do të përfshijë intervistimin dhe pikëzimin e kandidatëve.
Posti aktualisht mbahet nga Rebani Jaupi
Aktualisht, këtë pozicion e mban Rebani Jaupi, një emër i njohur në radhët e Policisë së Shtetit. Nuk është bërë ende e ditur nëse ai do të jetë pjesë e kësaj gare të hapur, ndërsa pritet me interes zhvillimi i mëtejshëm i procesit.
Ky është një hap i konsideruar si ndryshim i madh në drejtim të transparencës dhe profesionalizmit, pasi më herët drejtuesit e lartë në polici janë caktuar me emërim të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, garat për drejtuesit e tjerë të departamenteve në Policinë e Shtetit ende nuk janë shpallur.