Hamdi Salihi mes 50 golashënuesve më të mirë të Europës
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, është renditur i 28-ti në Europë ndër golshënuesit më të mirë për shekullin e 21-të.
Ish-sulmuesi i njohur shkodran, pjesë e disa ekipeve të njohura europiane dhe një prej lojtarëve më të mirë në historinë e Kombëtares shqiptare, numëron 217 gola, duke u renditur kështu i 28-ti mes 50 golashënuesve më të mirë të Europës.
Sa i përket shekullit të 21-të, për golat e shënuar, ai ka lënë pas emra të njohur në futbollin botëror si Dirk Kuyt, Di Natale, Mario Gomez, Robin van Persie, Francesco Totti, Berbatov, Roy Makaay, Nistelrooy, apo ylli botëror Del Piero. Një pjesë e tyre kanë shënuar gola edhe përgjatë shekullit të 20-të, por për shekullin 21, pra nga viti 2000 dhe deri më tani, Salihi ka kaluar të gjithë këto emra.
Hamdi Salihi e nisi karrierën e tij në vitet 2000, duke u bërë pjesë e Vllaznisë në sezonet 2002-2004 me 30 gola të shënuar. Pas një eksperience në Greqi, u bë pjesë e Tiranës për dy sezone, duke realizuar 42 gola. Në vitin 2007, bëri hapin e madh në karrierën e tij, duke kaluar tek Ried në Austri, për të vijuar më pas tek Rapidi i Vienës dhe disa ekipe të tjera.
Në 2015, u rikthye në Shqipëri, duke u bërë pjesë e Skënderbeut në vitet e lavdishme për dy sezone, ku realizoi 42 gola. Në 2019, mbylli karrierën e tij në futbollin e luajtur, duke numëruar 217 gola në total dhe duke u renditur i 28-ti në Europë.
Sulmuesi shkodran nga viti 2006 deri në 2015 ishte një prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares shqiptare me 50 ndeshje të luajtura dhe 11 gola të shënuar.
Ai është një prej emrave kryesorë që ndihmoi Kombëtaren në kualifikimin historik për në kampionatin europian në 2016, edhe pse asokohe De Biazi nuk e grumbulloi, duke e lënë jashtë Europianit.
Salihi së fundmi kontribuoi si zëvendës-trajner i Kombëtares dhe ëndrrën e tij në kampionatin europian e realizoi si pjesë e stafit të Kombëtares në 2024.
Nga futbollistët shqiptarë, Besart Ibrahimi renditet i 35-ti me 207 gola të shënuar në këtë tabelë të UEFA, por jo të klasifikuar në renditje.
Pas vendit të 48-të bëjnë pjesë edhe Viorenc Sinani me 179 gola dhe Daniel Xhafaj me 176 gola, ndërsa në total, duke përfshirë edhe golat në shekullin e mëparshëm (pra, para viteve 2000), Sinani ka 213 gola dhe Xhafaj 207 gola në total.
Këtë listë e kryeson Cristiano Ronaldo me 557 gola të shënuar, Robert Lewandowski me 402 gola të realizuar dhe i treti, Zlatan Ibrahimović, me 393 gola të shënuar, ndërsa më pas lista vijon me emra të tjerë të rëndësishëm të futbollit europian si golashënues.