“Hallall vicklat dhe përqeshjet” – Rama falënderon Melonin, tani synon marrëveshjen për pensionet me Greqinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas marrëveshjes me Italinë për pensionet, duke e cilësuar atë si një nga marrëveshjet më të vështira dhe duke falënderuar kryeministren Giorgia Meloni për përfundimin e saj.

Rama u shpreh se pa mbështetjen e Melonit, kjo marrëveshje nuk do të ishte realizuar. Ai shtoi se sfida e radhës është arritja e një dakordësie me Greqinë, jo vetëm për pensionet e emigrantëve shqiptarë, por edhe për heqjen e ligjit të luftës mes dy vendeve.

“Sot jam vërtetë i lehtësuar nga mbyllja më në fund e procesit të gjatë burokratik të miratimit të ligjit të pensioneve për shqiptarët e Italisë.

Hallall dhe vicklat, talljet, përqeshjet, jo ishte lojë, jo ishte tallje, jo e paç haram etj…. rëndësi ka që tanimë mundi dhe sakrificat e shqiptarëve do njihen njësoj si për italianët, pa asnjë dallim.

Kjo ishte njëra nga dy marrëveshjet absolutisht më të vështira të pensioneve sepse bëhet fjalë për gati gjysmë milionë njerëz, dhe i jam falënderues Giorgia Melonit, pa të cilën kjo nuk do të merrte fund, dhe mund të merrte vite dhe vite të tjera. Tani qershia mbi tortë për të mbyllur këtë cikël, mbetet marrëveshja me Greqinë. Qielli është hapur përsëri nga retë që siç e dini u mblodhën prapë për arsyen që dini, dhe vendosmëria ime është të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me po atë ndjenjë respekti dhe bashkëpunimi që kemi ndarë me kryeministrin grek që prej takimit tonë të parë.

Unë kam shumë  besim që mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pensioneve të ligjëruara të shqiptarëve të Greqisë, siç do të jetë dhe mandati i heqjes së ligjit të luftës dhe i vënies mbi ‘i’ i të gjitha pikave të dakordësuara mes nesh.

Shqipëria e 2030 dhe Greqia do të jetën së bashku në BE dhe do të enë lënë pas çdo hije të së shkuarës duke u afrua më shumë se kurrë për të mirën e përbashkët, por dhe me bindjen se në këtë botë të trazuar së bashku jemi shumë më të fortë”, u shpreh Rama.