Hakerohet sërish faqja zyrtare e webit, reagon INSTAT: Të dhënat e Censit nuk janë prekur

Faqja e Institutit Shqiptar të Statistikave duket se ka rënë pre e një grupi hakerash iranianë, Homeland Justice.

Në një njoftim të bërë në rrjetet sociale, ky grup ka njoftuar se ka mundur që të hakerojë faqen e webit të INSTAT. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe INSTAT që bën me dije se ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e INSTAT.