Hakerët rusë në sulm! Rrethojnë WhatsApp-in e ministrave me strategjinë e re dhe të frikshme
Hakerët e lidhur me shtetin rus kanë realizuar një sulm të sofistikuar ndaj llogarive WhatsApp të ministrave dhe zyrtarëve të qeverive në mbarë botën. Ata përdorin një metodë të re, duke i dërguar emaile të rreme që i ftojnë të bashkohen me grupe përdoruesish në WhatsApp, por që në fakt mundësojnë vjedhjen e informacionit të ndjeshëm.
Ky sulm ka lidhje me grupin haker Star Blizzard, të cilin Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Britanisë e ka lidhur me agjencinë ruse të spiunazhit, FSB. Ata akuzohen për përpjekje për të minuar besimin në politikën globale.
Sipas Microsoft, një nga mënyrat që përdoret për të realizuar këtë sulm është dërgimi i një emaili që duket se vjen nga një zyrtar i qeverisë amerikane, i cili fton viktimat të klikojnë në një kod QR që i hap hakerëve aksesin në llogaritë WhatsApp. Ky kod i lidh viktimat me një pajisje të re ose portalin ueb të WhatsApp, duke krijuar mundësinë për vjedhjen e të dhënave.
Microsoft nuk ka dhënë informacione nëse informacionet janë vjedhur me sukses nga llogaritë e synuara.