Hakerat iranianë nuk i ndal as lufta, sulmojnë bashkinë e Tiranës
Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” pavarësisht se vendi i tyre Irani, është në luftë, nuk dinë të ndalen. Ata kanë ndërmarrë një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
Përmes një postimi në kanalin e tyre në Telegram, hakerat kanë marrë përgjegjësinë për këtë akt, duke pretenduar se kanë ndërprerë funksionimin e faqes, kanë nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe kanë fshirë të gjithë serverët.
Në mesazhin e tyre, grupi shkruan: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”
Postimi është shoqëruar me pamje të faqes zyrtare të Bashkisë përpara dhe pas sulmit. Në versionin e pas sulmit, faqja shfaqet bosh dhe me efekt grafik që simolon dëmtimin. Po ashtu, “Homeland Justice” ka publikuar një model 3D të godinës së Bashkisë së Tiranës, ku është vendosur mbishkrimi “yes, you were right”, një mesazh që interpretohet si konfirmim i paralajmërimeve të mëparshme për sulmin kibernetik.
Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” ka tentuar disa herë gjatë muajve të fundit të kryejë sulme kibernetike ndaj faqeve zyrtare të institucioneve shqiptare.
Përmes sulmeve të përsëritura, ata kanë synuar ndërprerjen e shërbimeve, rrëzimin e faqeve dhe marrjen e të dhënave sensitive.