Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur alarmin për një sulm të ri që ka në shënjestër përdoruesit e Gmail, duke rrezikuar të dhënat e 1.8 miliardë llogarive. Hakerët po përdorin një mjet të avancuar të quajtur Astaroth, i cili arrin të mposht mekanizmin e vërtetimit me dy faktorë, duke vjedhur të dhëna në kohë reale.
Ky sulm funksionon duke krijuar një faqe të rreme që imiton ekranin zyrtar të hyrjes në Gmail, duke mashtruar viktimat të fusin të dhënat e tyre personale. Sapo informacioni të kapet, hakerët mund të kenë akses në emra përdoruesish, fjalëkalime, numra kartash krediti dhe të dhëna të tjera financiare, të cilat mund të përdoren për qëllime kriminale ose të shiten në rrjetin e errët.
Ekspertët paralajmërojnë se ky kërcënim nuk kufizohet vetëm te përdoruesit e Gmail-it. Të gjithë ata që përdorin platforma si Yahoo, AOL dhe Microsoft Outlook janë potencialisht të rrezikuar, duke vënë në shënjestër mbi 2 miliardë llogari të postës elektronike në mbarë botën.
Sipas AAG IT, çdo ditë dërgohen rreth 3.4 miliardë emaile spam, ndërsa vetëm Google arrin të bllokojë rreth 100 milionë tentativa phishing në ditë. Ekspertët këshillojnë përdoruesit të shmangin hapjen e lidhjeve të dyshimta dhe të jenë të kujdesshëm ndaj çdo kërkese për informacion personal.