Hajdutët prezantohen si elektriçista, vjedhin 1 mln euro nga banesa e dy të moshuarve
Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në shtëpinë e dy të moshuarve në Paleo Faliro në Greqi.
Dy persona të panjohur janë ngjitur në katin e dytë të pallatit dhe kanë mashtruar një 90-vjeçar dhe gruan e tij 85-vjeçare. Autorët kanë hyrë lehtësisht në pallat pasi po punohej në derën hyrëse pasi po ndërroheshin bravat.
Pa u shqetësuar fare, ata i janë shfaqur çiftit të moshuar si eletriçist të cilët kanë dashur të kontrollojnë sistemin elektrik të shtëpisë. Por dy hajdutët nuk e prisnin që fati t’u buzëqeshte.
Në një nga dhomat e shtëpisë kanë gjetur 800 mijë euro të djalit të tyre, i cili nuk ua kishte thënë prindërve. Por ata nuk u ndalën me kaq. Ata kanë marrë edhe bizhuteri, të cilat sipas çiftit të pensionistëve kapin vlerën e rreth 200 mijë eurove.