Haga “thyen” dy figura të UÇK-së, Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë akuzat për pengim të drejtësisë dhe frikësim të…

Një ish drejtues në radhët e UCK-së Haxhi Shala dhe ish ushtari Sabit Januzi kanë pranuar përpara Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, pranim ky që ka ardhur si marrëveshje me zyrën në fjalë.

“Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e komentoi menjëherë këtë zhvillim si një “dëshmi të forcës së hetimeve të kësaj zyre lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.

Dhomat e Specializuara, po ashtu, i konfirmuan dy marrëveshjet për pranimin e fajësisë, ku të akuzuarit pajtohen se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”. Sipas tyre, “Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga trupi gjykues para se të hyjë në fuqi”. Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.