Guvernatori Sejko takim me FMN-në: Në fokus zhvillimet ekonomike, stabiliteti financiar dhe forcimi i sektorit bankar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim të rëndësishëm me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut periodik mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, si dhe politikat për zhvillim të qëndrueshëm dhe ruajtje të stabilitetit monetar.
Në këtë takim, diskutimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe masat për forcimin e sektorit bankar. Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare po rritet me ritme të qëndrueshme, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta dhe tregjet financiare mbeten të qeta.
Ai u ndal edhe te politika monetare, e cila është ndjekur me kujdes për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Në këtë kuadër, në fillim të korrikut, Banka ndërmori një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare për të mbështetur rikthimin e inflacionit në objektiv.
Në lidhje me sektorin bankar, Sejko theksoi qëndrueshmërinë e tij përmes niveleve të larta të kapitalizimit, likuiditetit dhe cilësisë së aktiveve. Ai vuri në dukje se treguesi i kredive me probleme ka arritur nivelin më të ulët që nga viti 2008, duke zbritur në 4.17% në fund të vitit 2024.
Guvernatori ndali vëmendjen edhe te sfidat që lidhen me pasiguritë gjeopolitike dhe tregtare, duke nënvizuar nevojën për fleksibilitet dhe përgjigje efektive ndaj tyre.
Përfaqësuesit e FMN-së përgëzuan Bankën e Shqipërisë për politikat e saj monetare dhe kontributin në stabilitetin financiar. Ata theksuan rëndësinë e vijimit të kursit të lirë të këmbimit dhe vlerësuan nismat e BSH për mbrojtjen e konsumatorit, mbikëqyrjen bankare, dhe zhvillimin e sistemit të pagesave.
Në përfundim të takimit, palët konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit dhe rëndësinë që ka zbatimi i programit të ardhshëm për vlerësimin e sektorit financiar (FSAP), që pritet të nisë në vitin 2026.