Guvernatori Sejko në Itali: Tarifat e SHBA-ve kanë ndikim të papërfillshëm në ekonominë shqiptare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), e cila u zhvillua në Vareze, Itali. Takimi bashkoi guvernatorët dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence për të diskutuar mbi sfidat më të fundit ekonomike në një realitet të ri gjeopolitik dhe me kufizime të reja tregtare.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rolin kyç të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe rëndësinë e qëndrueshmërisë në një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme ekonomike globale. Ai ndau pikëpamje të ngjashme me institucionet financiare ndërkombëtare mbi nevojën për politika të kujdesshme dhe fleksibël, që mbështesin rritjen e qëndrueshme dhe menaxhimin efektiv të rreziqeve.

Sejko për ndikimin e tarifave të SHBA-së:

Në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare, Guvernatori u ndal te ndikimi i raundit të parë të tarifave të shpallura nga SHBA. Ai vlerësoi se për Shqipërinë, si një ekonomi e vogël dhe e hapur, këto tarifa kanë “ndikim të papërfillshëm të drejtpërdrejtë”, duke qenë se lidhjet tregtare dhe financiare me SHBA-në janë të kufizuara, me vetëm 0.2% të PBB-së.

Megjithatë, ai paralajmëroi se përshkallëzimi i një lufte tarifore globale mund të sjellë pasoja reale për vendin, si rënie të kërkesës për eksportet shqiptare, rritje të çmimeve për shkak të inflacionit të importuar dhe sfida në sektorin financiar, veçanërisht për kompanitë e ekspozuara ndaj tregtisë ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Sejko theksoi gjithashtu rëndësinë që ka ndërtimi i qëndrueshmërisë përballë krizave të shumta dhe të mbivendosura – qoftë ekonomike, politike apo klimaterike. Ai nënvizoi nevojën për investime në reduktimin fizik të rrezikut dhe përgatitjen financiare të shtetit ndaj katastrofave natyrore, si një komponent themelor për përballjen me ndryshimet klimatike.

“Si bankë qendrore, përparësia jonë është ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve, garantimi i stabilitetit financiar dhe forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë, duke u treguar të vëmendshëm ndaj zhvillimeve globale dhe rajonale dhe përmirësuar vazhdimisht kuadrin tonë të politikës ekonomike,” – u shpreh Sejko.

Në panelin e diskutimit për inovacionin në teknologji, sisteme pagese dhe infrastrukturë financiare, zëvendësguvernatori i Bankës së Italisë, Luigi Federico Signorini, vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe Bankës së Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave në rajon, duke theksuar bashkëpunimin efektiv mes dy bankave qendrore.