Guvernatori i BSH, Gent Sejko: Bujqësia me performancën më të dobët në ekonomi, por kreditimi i saj redukton dyfish varfërinë

Gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, Guvernatori Gent Sejko theksoi se bujqësia është sektori me performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare. Sipas tij, bujqësia vuan nga probleme të thella strukturore, si fragmentarizimi i tokës, niveli i ulët i mekanizimit dhe mungesa e integrimit midis fermerëve dhe tregut.

Megjithatë, Sejko nënvizoi rëndësinë e kreditimit në këtë sektor, duke theksuar se ndonëse mbart rreziqe dhe kosto të larta, ka një ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e mirëqenies.

“Studimet tregojnë se kreditimi i sektorit bujqësor ka një impakt dy herë më të madh në reduktimin e varfërisë krahasuar me kreditimin e sektorëve të tjerë,” tha Sejko.

Ai shtoi se aktualisht, kredia për bujqësinë përbën më pak se 2% të totalit të kredisë bankare për bizneset, duke e cilësuar këtë si një tregues të rrezikut që kreditimi i këtij sektori mbart për bankat.

Guvernatori zbuloi gjithashtu se Banka e Shqipërisë ka miratuar një program të ri për mbështetjen e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, duke vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh për uljen e kostove të kreditimit.

“Ky program ofron kredi me norma interesi nga 2% deri në 3.5%, duke synuar të nxisë investimet në asete dhe teknologji që rrisin produktivitetin e bizneseve në sektorin bujqësor dhe jo vetëm,” theksoi Sejko.

Në përfundim, Guvernatori i bëri thirrje sektorit bankar të rrisë vëmendjen ndaj zhvillimit të produkteve financiare të përshtatura për ciklin e prodhimit bujqësor dhe për të shfrytëzuar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për gjenerimin e fondeve të reja.