‘Gucci e Armani’/ Sekuestrohen 75 mijë euro veshje me etiketa false në Lezhë! Në hetim pronarja e butikut
Një sasi e konsiderueshme veshjesh, të dyshuara si të falsifikuara, është sekuestruar nga Policia e Lezhës gjatë një kontrolli të ushtruar në një butik dhe një magazinë private në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar të bluve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorine Vendore te Policise Lezhë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal ndaj shtetases K. H., 28 vjeçe, banuese në Lezhë, e cila rezulton pronare e aktivitetit tregtar ku u konstatuan shkeljet.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet në pronësi të saj, u gjetën dhe sekuestruan 1 150 copë veshje të markave të ndryshme, të cilat mbajnë etiketa të dyshuara si të falsifikuara. Vlera totale e këtyre produkteve në treg, sipas vlerësimit paraprak të bërë nga autoritetet, arrin në rreth 75 mijë euro.Veprimet e policisë janë pjesë e operacioneve të vazhdueshme për goditjen e informalitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale në tregun shqiptar.Ndaj 28-vjeçares është regjistruar procedim penal dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, e cila do të ndjekë më tej hetimet për këtë rast.
Nderkohe Policia bën thirrje që qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm të tregtimit të mallrave të falsifikuara apo në kundërshtim me ligjin, duke garantuar mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.