Grupi shqiptaro-belg trafikoi 1.2 ton kokainë, lideri drejtonte nga burgu në Belgjikë dhe transferoi 572 mijë euro tek agjentët e infiltruar

Një organizatë kriminale shqiptaro-belge, e specializuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, është goditur nga autoritetet spanjolle dhe belge, pas sekuestrimit të 1.2 tonëve kokainë në portin e Vigos në Spanjë. Hetimet kanë zbuluar se kreu i grupit, një belg me një histori të gjatë kriminale, e drejtonte trafikun nga një burg belg, duke përdorur një aplikacion të sigurt mesazhesh për të komunikuar me anëtarët e organizatës.

Operacioni antidrogë çoi në arrestimin e nëntë personave, mes tyre tre belgë dhe gjashtë shqiptarë, të cilët u kapën pranë një qendre tregtare në Vigo. Autoritetet zbuluan se trafikantët kishin transferuar 572,000 euro tek agjentët e infiltruar përmes kriptomonedhës USDT, një monedhë digjitale e lidhur me vlerën e dollarit amerikan, për të shmangur luhatjet e mëdha të çmimeve dhe për të fshehur gjurmët e transaksioneve.

Droga ishte transportuar nga Ekuadori dhe ishte fshehur në një anije që mbërriti në fillim të këtij viti. Ndër të arrestuarit është edhe Pascal M., një emër i njohur në krimin e organizuar belg, i cili më parë ka qenë pjesë e klanit famëkeq Aquino.

Operacioni u krye me ndihmën e agjentëve të fshehtë, të cilët përdorën pseudonime si “Mosa”, “Tijeras” dhe “Beduso”, duke lehtësuar grumbullimin e provave kundër rrjetit të trafikut të drogës. Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar kriptomonedhat dhe po vijojnë hetimet për të zbuluar të gjithë rrjetin kriminal dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë.