Gruaja e parë në krye të RTSH, Eni Vasili takohet me stafin: Punoni të qetë! Jepni maksimumin tuaj me aq sa mundeni
Eni Vasili është e para grua në historinë e Radio Televizionit Publik Shqiptar që do të drejtojë institucionin.
Pas marrjes së mandatit, drejtuesja e re zhvilloi një takim me stafin e institucionit, duke shprehur edhe qasjen e saj.
“Të rrini të qetë! Punoni të qetë. Jepni maksimumin tuaj me aq sa mundeni në përditshmërinë tuaj. Sigurisht në mënyrë graduale do të mundohem t’ju dëgjoj të gjithëve një nga një, problematikat që keni si sektor, por edhe si individë, si profesionistë. Është shumë e rëndësishme që të jemi të gjithë në funksion të ekranit, të atij imazhi për të cilin jemi këtu – gazetarë, regjisorë, skenaristë, autorë, montazhierë… Këta janë artistët e ekranit dhe të gjithë ne të tjerët jemi në funksion të atij minutazhi që japim në transmetim,” tha Drejtoresha e Përgjithshme e radiotelevizionit, Vasili.
Gjatë takimit me stafin, drejtuesja kërkoi bashkëpunim me të gjithë punonjësit e Radio Televizionit publik, duke premtuar se do t’i jepet fund periudhës së zgjatur tranzitore që përjetoi institucioni.
“Kërkoj ndihmën tuaj në mënyrë të përulur, të paktën në këtë fazë të parë, të përballjes së parë, të njohjes së parë me problemet që ekzistojnë. E di që janë shumë. Do t’i zgjidhim! Jam e bindur që do t’i zgjidhim të gjitha,” theksoi Vasili.
Eni Vasili u zgjodh në krye të Radio Televizionit Publik Shqiptar pasi siguroi shumicën e votave në Këshillin Drejtues, mes 12 kandidatëve që paraqitën ambiciet për të drejtuar këtë institucion.