Gropë e rrezikshme prej dy muajsh në qendër të Fushë-Krujës, shqetësim për qytetarët dhe turizmin

Në qendër të Fushë-Krujës, një gropë e hapur prej afro dy muajsh është kthyer në një shqetësim serioz për banorët, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët, për shkak të rrezikut që paraqet për sigurinë fizike.

Gropa është hapur nga punonjës të ujësjellësit me qëllim riparimin e tubacioneve të ujit të pijshëm, por pas përfundimit të punimeve nuk është marrë asnjë masë për mbulimin e saj. Ajo që e përkeqëson situatën është se përfaqësuesit e ujësjellësit nuk pranojnë të japin asnjë sqarim për këtë neglizhencë që vazhdon prej javësh.

Edhe më shqetësues është fakti se turistët e huaj që vizitojnë zonën, tërhequr nga busti i ish-presidentit amerikan George W. Bush, përballen me këtë pamje të shëmtuar që lë një përshtypje negative për qytetin. Gropa ndodhet shumë pranë bustit dhe shpesh bie në sy të vizitorëve që ndalojnë për të realizuar foto.