Grisi Kuranin në muajin e Ramazanit në Prizren, autori rrezikon deri në 8 vite burg
Një person me precedentë penalë është arrestuar në Prizren, pasi grisi Kuranin në mes të qytetit gjatë muajit të Ramazanit. Ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes fetare, vepër për të cilën rrezikon deri në 8 vite burg.
Ngjarja ndodhi më 17 mars, kur besimtarët po përfundonin faljen e drekës. I dyshuari, i cili ka një të kaluar kriminale për vrasje, dhunë në familje dhe kanosje, kreu veprimin në një zonë të frekuentuar nga besimtarët, pranë një xhamie dhe një teqeje. Pamjet e ngjarjes u kapën nga kamerat e sigurisë dhe u shpërndanë në rrjetet sociale.
Avokati i Bashkësisë Islame të Prizrenit, Gent Gjini, ka kërkuar një hetim të thelluar për të parë nëse i arrestuari ishte i nxitur nga ndonjë person apo organizatë. Ai theksoi se ky është një fenomen i rrallë në trevat shqiptare, por që në disa vende të Evropës është në rritje.
Drejtuesit fetarë në Prizren kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të veprimeve që mund të shkaktojnë tensione dhe përçarje mes qytetarëve.