Gripi i shpendëve në Gjirokastër/ Zona e prekur futet në karantinë, shpendë të ngordhur gjenden në fshatin Valare

Një rast i gripit të shpendëve H5N1 është konfirmuar në fshatin Valare të Gjirokastrës, ku 20 shpendë në një oborr privat janë gjetur të ngordhur. Shërbimi veterinar ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke asgjësuar shpendët e infektuar dhe duke çuar mostrat për analiza të mëtejshme në ISUV.

Flora Zharkalli, përgjegjëse e sektorit veterinar, ka deklaruar se pas analizave është konfirmuar praninë e H5N1. “Na u kthye përgjigjja që kafsha ishte pozitive për influencën aviare. U ngrit grupi i emergjencës dhe u morën masa për asgjësimin e kafshëve të gjalla, ndërkohë që u konstatua ngordhja e 4 shpendëve të tjerë”, tha Zharkalli.

Për të frenuar përhapjen e gripit të shpendëve, është vendosur një karantinë 3 km rreth fshatit Valare, dhe të gjitha fermat në këtë zonë po vizitohen dy herë në ditë nga ekipet e punës. Po ashtu, janë caktuar zona të mbikëqyrura në një rreze prej 10 km nga zona e prekur.

Në të gjithë territorin janë të angazhuar 12 veterinerë, të cilët po kryejnë inspektime dhe inventarizime të përditshme të shpendëve. Deri tani, nuk janë raportuar raste të tjera ngordhjeje.

Veterineri Krenar Veli theksoi se dëmi kryesor është ekonomik, pasi të gjitha shpendët e infektuar duhet të eliminohen, ndërsa shtoi se gripi i shpendëve mund të jetë i rrezikshëm edhe për njerëzit që kanë kontakt me shpendët e infektuar. “Në rast se hasni një shpend të ngordhur, duhet të njoftoni menjëherë veterinerin”, tha Veli.

Sipas planit të kontigjencës, zona e fshatit Valare do të mbetet në karantinë për një muaj. Nuk ka pasur asnjë raportim për njerëz të infektuar nga kjo sëmundje. Ky është rasti i parë i gripit të shpendëve në rrethin e Gjirokastrës, ku aktualisht janë rreth 25 mijë shpendë.