Greqi/ Evia tronditet nga tërmete të njëpasnjëshme, mbyllen shkollat në dy qytete si masë paraprake

Ishulli Evia në Greqi është përfshirë nga një seri tërmetesh të njëpasnjëshme që kanë shkaktuar shqetësim mes banorëve dhe autoriteteve lokale.

Si masë mbrojtëse, pas inspektimeve të kryera nga ekipet e DAEFK-së, është vendosur që shkollat në Prokopi dhe Pili të qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e kontrolleve nga Ekipet Speciale të Agjencisë Greke të Mbrojtjes Civile, të cilat po vlerësojnë qëndrueshmërinë e ndërtesave.

Sipas autoriteteve, tërmetet nisën në orët e para të mëngjesit të së dielës, me më të madhin që arriti magnitudën 4.3 të shkallës Rihter, ndërsa janë regjistruar edhe disa tërmete më të vogla që kanë shkaktuar dëme në ndërtesa private dhe publike.

Efthimios Lekkas, profesor i menaxhimit të fatkeqësive dhe president i OASP-së, deklaroi se lëkundjet janë pjesë e një fenomeni të njohur, i cili buron nga e njëjta çarje gjeologjike e njohur për aktivitetin e saj periodik.