Greqi/ Alket Rizai kërkon lirinë nga burgu, Gjykata e Lamisë shqyrton çështjen! Ja çfarë u vendos
Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve Penale të Lamisë në Greqi shqyrtoi këtë të premte kërkesën e shqiptarit, Alket Rizai, për t’u liruar me kusht nga burgu i Domokosit. Çështja e 47-vjeçarit shqiptar është shtyrë për në datën 6 qershor 2025, për shkak të një transferimi të tij në Qendrën e Paraburgimit Korydallos për një çështje procedurale.
Rizai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm dhe ka dënime të tjera që arrijnë deri në 25 vjet. Ai ndodhet në burg prej 21 vitesh, që kur u arrestua për herë të parë në vitin 2003, pas arratisjeve të shumta që i kanë mundësuar të gëzonte vetëm disa muaj liri. Megjithatë, vitet e fundit, sjellja e tij ka lejuar që ai të marrë leje nga burgu, si në janar 2021.
Në atë kohë, ai u pa duke udhëtuar me dy kriminelë të tjerë gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Edhe pse ishte në një leje të ligjshme 5-ditore, incidenti çoi në shqyrtimin e mëtejshëm të sjelljes së tij. Pas kësaj ngjarje, ai kaloi edhe një vit më parë nëpër gjykatat e Lamisë për armë dhe celularë që i ishin gjetur në qeli, por u shpall i pafajshëm.