Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA, Richard Grenell, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për paaftësi në drejtimin e ekonomisë së vendit dhe për përkeqësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në platformën “X”, Grenell pretendon se veprimet e njëanshme dhe fokusimi në grindje politike nga ana e Kurtit kanë sjellë kritika të shumta ndaj tij nga Departamenti i Shtetit, NATO dhe liderët evropianë.
“Marrëdhëniet e SHBA me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Bidenit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme, duke i sjellë marrëdhëniet Kosovë-SHBA në pikën më të ulët,” shkruan Grenell.
Ai shton se, pavarësisht mbështetjes së Kurtit për administratën Biden, kjo nuk e pengoi atë të kritikohej nga Shtëpia e Bardhë dhe liderët ndërkombëtarë. Grenell ka qenë një kritik i hapur i Kurtit, duke e akuzuar shpesh për vendime që, sipas tij, dëmtojnë Kosovën dhe aleancën me SHBA.